Qeveria në detyrë ka vendosur rritjen e shtesave për lehonat nga 325 euro në 500 euro në muaj, duke e barazuar këtë mbështetje me pagën minimale në vend.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se vendimi hyn në fuqi që nga ky muaj dhe paraqet vazhdim të politikave mbështetëse për nënat lehona.
“Super lajmi që sot dua të ndaj me ju është se nga ky muaj do të rrisim shtesat për lehona. Njësoj sikur vitin e kaluar edhe në këtë maj ne po i rrisim shtesat për lehona ashtu siç kemi premtuar, nga 325.9 euro në muaj në 500 euro në muaj sa paga minimale; me fjalë të tjera nuk po e presim korrikun”, deklaroi Kurti.
Ai rikujtoi se gjatë mandatit të qeverisë së tij u vendosën për herë të parë shtesat për lehonat, fillimisht me nga 170 euro në muaj për lehonat e papuna për gjashtë muaj dhe për lehonat e punësuara për tre muaj, krahas përfitimeve të parapara me Ligjin e Punës.
Vendimi u miratua në mbledhjen e së premtes të Qeverisë në detyrë dhe synon rritjen e mbështetjes financiare për familjet dhe nënat e reja.

