Në 27-vjetorin e rënies së 16 luftëtarëve të lirisë në Bjeshkën e Belegut, bashkëluftëtarë dhe familjarë u mblodhën në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan dhe në Kodrali për të nderuar kujtimin e tyre. Në këtë përvjetor u kujtua beteja e 24 majit 1999, ku ranë 16 ushtarë të UÇK-së dhe u plagosën 15 të tjerë gjatë një misioni për shpëtimin e bashkëluftëtarëve.
Në 27-vjetorin e rënies heroike të 16 luftëtarëve të lirisë në Bjeshkën e Belegut, ushtarë të Batalionit Gardist “Shkëlzen Haradinaj”, bashkëluftëtarë dhe familjarë, në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan dhe në Kodrali, nderuan kujtimin e tyre.
Komandanti Abdyl Mushkolaj ende i ruan të freskëta kujtimet nga ajo betejë e lavdishme gjatë misionit për shpëtimin e luftëtarëve të plagosur të UÇK-së
“24 maji më kujtohet si sot, kur jemi nisur drejt Qafës së Bogiqes me të plagosur. Ishte një udhëtim shumë i vështirë, ku për të arritur deri atje na u deshën tri ditë e tri net rrugë të mundimshme. Kur ramë në pritë, humbëm 15 bashkëluftëtarë, shokët më të mirë. Normalisht që dhimbja na përcjell gjatë gjithë jetës, sepse na kujtohen shokët, na kujtohen ngjarjet dhe fjalët që kemi biseduar me ta. Sot na mungojnë shumë. Të them të drejtën, ne jetojmë sot, por një pjesë të jetës sonë e morën me vete”, tha Abdyl Mushkolaj, komandant i Batalionit Gardist “Shkëlzen Haradinaj”.
“Komandant Abdyli, duke parë se forcat serbe ishin shumëfish më të mëdha, dha urdhër për tërheqje, në mënyrë që të shpëtonin të plagosurit e tjerë dhe t’ua lidhnin plagët më poshtë malit. Por ajo rrugë kthimi ishte më e rëndë se ajo e nisjes, sepse tashmë nuk ecnin vetëm me të plagosur, por edhe me dhimbjen e humbjes së shokëve të tyre. Çdo hap mbi borë bëhej më i rëndë, çdo heshtje më e gjatë, sepse mungonin zërat e atyre që pak orë më parë marshonin pranë tyre”, tha Gazmend Syla nga OVL.
Bashkëluftëtarët dhe familjarët, krahas dhimbjes së përhershme, ndihen krenarë për heroizmin e trimave të rënë në fushëbetejë.
“Për Nuredinin, si bashkëveprimtar dhe bashkëluftëtar që e kisha, ndihem krenar, ashtu siç ndihem krenar për të gjithë dëshmorët e kombit. Ende nuk i kemi përfunduar të gjitha punët, kemi edhe shumë punë të tjera për të bërë. Nuk duhet të lodhemi. Duhet të punojmë dhe të veprojmë për ta jetësuar amanetin e tyre, për të cilin ranë”, tha Agron Gërvalla, bashkëluftëtar dhe familjar i dëshmorit.
16 luftëtarët e UÇK-së, ushtarë të Batalionit Gardist “Shkëlzen Haradinaj”, ranë më 24 maj 1999 në Qafën e Belegut, pranë trekufirit shqiptar, ndërsa 15 të tjerë mbetën të plagosur.

