Çmimet e naftës kanë shënuar rënie të ndjeshme në tregjet ndërkombëtare, pas zhvillimeve të reja në negociatat ndërmjet Shtetet e Bashkuara dhe Iranit për një marrëveshje që pritet të çojë në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Nafta e papërpunuar Brent ra me rreth 1.5 për qind, duke u tregtuar pranë 99 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI pësoi rënie edhe më të madhe, afro 5 për qind, duke zbritur në rreth 92 dollarë për fuçi, raportoi CNN.
Rënia e çmimeve vjen në një kohë kur Uashingtoni dhe Teherani po zhvillojnë bisedime intensive për një marrëveshje që do të mundësonte rikthimin e qarkullimit të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, e cila ka qenë praktikisht e bllokuar që nga nisja e konfliktit më 28 shkurt.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga pikat më strategjike të energjisë në botë, pasi përmes saj kalon rreth 20 për qind e furnizimit global me naftë. Çdo zhvillim që lidhet me funksionimin e saj ndikon drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare dhe në çmimet e energjisë.
Analistët vlerësojnë se perspektiva për rihapjen e kësaj rruge detare ka ulur frikën për mungesa në furnizim, duke sjellë reagim të menjëhershëm në bursat e naftës.

