Thursday, October 15, 2026
HomeLajmeKosovëOAK: Vonesat për paraburgim cenojnë të drejtat themelore

OAK: Vonesat për paraburgim cenojnë të drejtat themelore

Oda e Avokatëve të Kosovës ka shprehur shqetësimin lidhur me vonesat e vazhdueshme në trajtimin e ankesave kundër vendimeve me të cilat caktohet apo vazhdohet masa e paraburgimit.

Në një reagim të Odës thuhet se ‘Kodi i Procedurës Penale ka përcaktuar afate të qarta dhe të detyrueshme për trajtimin e këtyre rasteve, pikërisht pasi siç theksohet, bëhet fjalë për kufizimin më të rëndë të lirisë personale para një vendimi përfundimtar gjyqësor’.

Megjithatë, në praktikë, thuhet se vërehen vonesa të konsiderueshme në shqyrtimin dhe dorëzimin e vendimeve nga instancat më të larta gjyqësore.

“Në jo pak raste, vendimet e Gjykatës së Apelit pranohen nga palët pas kalimit të disa javëve, madje ka raste kur masa e paraburgimit vazhdohet sërish nga gjykata e shkallës së parë, ndërsa pala ende nuk e ka pranuar vendimin e Apelit lidhur me vendimin paraprak. Vonesa edhe më të theksuara raportohen në procedurat pranë Gjykatës Supreme”, theksohet në reagim.

Oda e Avokatëve të Kosovës ka konsideruar se respektimi rigoroz i afateve ligjore në rastet e paraburgimit nuk paraqet vetëm obligim procedural, por garanci themelore kushtetuese dhe konvencionale që siç thuhet, lidhet drejtpërdrejt me lirinë personale, procesin e rregullt ligjor dhe efektivitetin real të mjeteve juridike.

“Oda e Avokatëve të Kosovës u bën thirrje institucioneve gjyqësore kompetente që trajtimi i ankesave në çështjet e paraburgimit të ketë prioritet absolut dhe afatet ligjore të zbatohen në mënyrë efektive, në funksion të mbrojtjes së të drejtave themelore dhe forcimit të besimit në sistemin e drejtësisë”, thuhet në reagim e kësaj organizate.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram