Tetë policë të Kosovës, janë vlerësuar lart për punën e tyre në shërbim të qytetarëve.
Policia e Kosovës përmes një njoftimi ka bërë me dije se ata me rekomandim të drejtorit të Përgjithshëm Gazmend Hoxha, kanë pranuar Medalje për shpëtim jete, në shenjë mirënjohjeje për guximin, profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm gjatë ndërhyrjeve për shpëtimin e jetëve njerëzore.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla vlerësoi lart aktin human dhe fisnik të zyrtarëve policorë, duke theksuar se ata, duke rrezikuar jetën e tyre, i dhanë kuptim misionit të Policisë së Kosovës.
“Jam tejet i lumtur që jemi sot këtu bashkë, për të nderuar punën e tetë zyrtarëve tanë policorë, të cilët me aktin e tyre human e fisnik, duke rrezikuar vetveten, i dhanë kuptim misionit të Policisë së Kosovës. Këto akte dëshmojnë se, përveç profesionalizmit të lartë, pjesëtarët tanë policorë bartin edhe vlera të mëdha humane”, tha ai.
Sipas Sveçlës, veprimet e zyrtarëve policorë janë dëshmi e përkushtimit të palëkundur të Policisë së Kosovës ndaj qytetarëve, sidomos në momentet kritike kur sekondat bëjnë dallimin mes jetës dhe vdekjes.
Ndërsa drejtori Hoxha vlerësoi lart veprimin e zyrtarëve policorë, si një akt i jashtëzakonshëm guximi, një nivel i lartë profesionalizmi dhe mbi të gjitha një humanizëm i pastër i tetë zyrtarëve policorë, duke theksuar që ata në momente kritike, nuk hezituan në asnjë sekondë, por me veprimet e tyre të matura dhe vetëmohuese arritën të shpëtojnë jetë njerëzish.
“Veprimet tuaja të guximshme dhe profesionale janë një shembull i mirë dhe një burim i madh frymëzimi për të gjithë zyrtarët policorë që mbajnë këtë uniformë anembanë vendit. Ju vërtetuat se uniforma e PK-së nuk është thjesht një petk zyrtar, por ajo bart mbi vete një peshë të madhe të përgjegjësisë, një mision human dhe një gatishmëri të palëkundur për të shërbyer në çdo rrethanë ndaj qytetarëve dhe vendit, pavarësisht rreziqeve që mund të kanosen”, theksoi drejtori Hoxha.

