Kryetarja në detyrë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marr pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kroacisë në Kosovë, me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare të Republikës së Kroacisë.
Kuvendi i Kosovës njofton se në një fjalim para të pranishmëve, Haxhiu tha se Kroacia ka qenë mike e qëndrueshme e Kosovës përgjatë kapitujve të ndryshëm të historisë, duke përmendur mbështetjen në periudha të rëndësishme, përfshirë kohën kur Kosova kishte nevojë për miq, njohjen e pavarësisë dhe rrugëtimin drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike.
Ajo ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet dy popujve janë ndërtuar edhe përmes lidhjeve historike dhe njerëzore, duke përmendur dijetarin kroat Milan Šufflay dhe kontributin e shqiptarëve në Kroaci.
“Mes Arbëneshëve të Zarës, shërbyesve publikë si Ermina Lekaj Prljaskaj dhe futbollistëve si Ardian Kozniku e Kujtim Shala, mund të themi se shqiptarët kanë qenë të pranishëm në Kroaci në histori, në parlament dhe në futboll”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu ka falënderuar edhe ambasadoren kroate për kontributin në forcimin e miqësisë ndërmjet dy vendeve.
Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, Haxhiu përcolli urimet për popullin kroat, duke shprehur dëshirën që marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë të vazhdojnë të forcohen.

