Thursday, May 28, 2026
HomeLajmeKosovëKurti paralajmëron sfida të reja të sigurisë dhe propozon Xhandarmërinë

Kurti paralajmëron sfida të reja të sigurisë dhe propozon Xhandarmërinë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se gjendja e sigurisë në vend dhe në nivel global po ndryshon me shpejtësi, duke theksuar se kërcënimet aktuale kërkojnë qasje të re dhe më të avancuar institucionale.

Në një konferencë për media, Kurti ka thënë se sfidat e sigurisë nuk janë më të njëjta si në të kaluarën, duke përmendur grupe të armatosura, kontrabandën ndërkufitare dhe përdorimin e teknologjive moderne si faktorë rreziku.

“Gjendja e sigurisë në nivel global, rajonal, por edhe në Republikën e Kosovës po evoluon me shpejtësi. Sfidat kryesore përfshijnë grupet e armatosura me organizim paraushtarak dhe kontrabandën e vazhdueshme me armë dhe mallra përgjatë vijës së gjelbër kufitare”, ka deklaruar Kurti, në një konferencë për media të enjten, së bashkë me ministrin e Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla.

Ai ka shtuar se janë evidentuar edhe forma të reja kërcënimi që lidhen me teknologjinë dhe infrastrukturën kritike.

“Mandej, infiltrim i strukturuar i grupeve të armatosura, përdorimi i teknologjive moderne, veçanërisht dronëve, si dhe mbikëqyrja e terrenit dhe infrastrukturës kritike”, është shprehur ai.

Kurti ka theksuar se Policia e Kosovës ka bërë punë të madhe, por sipas tij mandati i saj ka kufizime në përballjen me rreziqe të nivelit më të lartë.

“Policia e Kosovës ka bërë dhe vazhdon të bëjë punë të jashtëzakonshme. Megjithatë, ajo ka mandat sigurimin e rendit publik, parandalimin dhe hetimin e krimit”, ka thënë Kurti.

Ai ka përmendur edhe disa nga sulmet e viteve të fundit në veri të vendit, përfshirë sulmin në Banjskë dhe incidente të tjera ndaj institucioneve të Kosovës dhe misioneve ndërkombëtare.

“Kemi pasur sulme të vazhdueshme gjatë viteve të fundit, në veçanti në veriun e vendit, ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, Policisë së Kosovës, qytetarëve dhe misioneve ndërkombëtare”, ka deklaruar Kurti.

Në këtë kontekst, ai ka propozuar themelimin e një strukture të re të sigurisë, Xhandarmërisë, e cila sipas tij do të mbushte boshllëkun mes Policisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Me qëllim të adresimit të këtyre sfidave, themelimi i Xhandarmërisë si strukturë e re e specializuar, moderne dhe e disiplinuar është domosdoshmëri e kohës”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, kjo strukturë do të ketë mandat të qartë në disa fusha kyçe të sigurisë.

“Xhandarmëria do të ketë një mandat të qartë: sigurimi i vijës kufitare tokësore, ujore dhe ajrore, operacione kundër grupeve të armatosura, luftimi i kontrabandës ndërkufitare dhe sigurimi i infrastrukturës kritike”, ka shtuar ai.

Kurti ka theksuar se modeli i Xhandarmërisë bazohet në praktikat evropiane, duke përmendur disa shtete që kanë struktura të ngjashme.

“Modeli i Xhandarmërisë është praktikë e dëshmuar evropiane, si në Francë, Itali, Turqi, Spanjë dhe Portugali”, ka thënë ai.

Sipas tij, grupi punues për këtë iniciativë tashmë është duke punuar dhe propozimi pritet të dërgohet në Kuvend pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

“Grupi punues është duke analizuar të gjitha aspektet e formimit të Xhandarmërisë. Themelimi i saj do të bëhet me ligj të veçantë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Kurti.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram