Garën për kryeministër të vendit kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza e filloi nga qyteti i Ferizajt, ku premtoi se me qeverisjen e tij secila familje do të ketë më shumë të ardhura mujore dhe bursa të veçanta për studentët.
“Qeveria jonë do të jetë qeveri e punës, qeveri e zhvillimit, qeveri e dinjitetit për qytetarët. Ne do t’i ulim çmimet, do ta heqim TVSH-në nga produktet bazë. Qytetarët duhet të kenë më shumë para në xhepin e tyre, jo më shumë barrë mbi shpinën e tyre. Ne do të rrisim pagat dhe pensionet. 50% rritje e pagave për të punësuarit në sektorin publik! 50% rritje për pensionet dhe të gjitha ndihmat sociale për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që do të paguhen nga buxheti! Asnjë ndihmë, asnjë pagesë nga buxheti i Kosovës nuk do të jetë më e ulët se 300 euro, sepse askush në Kosovë nuk duhet të jetojë pa dinjitet. Ne do ta forcojmë drejtësinë: drejtësinë më të shpejtë, drejtësinë më të paanshme, zbatim i plotë i ligjit për të gjithë, sepse qytetarët kanë nevojë për shtet që funksionon, jo për shtet që arsyetohet” tha Hamza.
Hamza shtoi se zgjedhjet e 7 qershorit, janë ndryshimi i mundësive të qytetarëve.
“Këto zgjedhje janë zgjedhje mes dy rrugëve: mes konfliktit dhe stabilitetit, mes stagnimit dhe zhvillimit, mes arrogancës dhe përgjegjësisë, mes krizës dhe rezultateve. Dhe sonte, nga ky moment, nga ky tubim, ne po fillojmë ndryshimin! Ne po fillojmë rikthimin e Kosovës në rrugën e zhvillimit, partneritetit dhe dinjitetit. Kosova nuk është ndërtuar nga njerëzit që ikën nga përgjegjësia. Kosova është ndërtuar nga burra dhe gra që sakrifikuan gjithçka për këtë vend”, deklaroi Hamza.
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, më tej premtoi se bizneset do të ndihmohen me tatim më të ulët për pagat dhe investime në energji dhe teknologji.
Për deputet në kuvendin e Kosovës nga komuna e Ferizajt garojnë 8 kandidat.

