Friday, May 29, 2026
HomeLajmeKosovëAAK hap fushatën, premton programin `Siguri, Energji, Zhvillim`

AAK hap fushatën, premton programin `Siguri, Energji, Zhvillim`

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës hapi zyrtarisht fushatën në Gjakovë. Kandidati i Aleancës për kryeministër, Ardian Gjini, në hapjen e fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit, të mbajtur në Gjakovë, ritheksoi fokusin e partisë së tij për vendin, siç janë siguria, zhvillimi dhe energjia.

Sipas Gjinit, qeverisja e tyre synon t’u japë fund politikave që e mbajnë ekonominë të varur nga ndihmat shtetërore, duke u fokusuar në vetëpasurimin dhe vetëzhvillimin e qytetarëve dhe bizneseve.

Ndër premtimet kryesore ekonomike dhe reformat e shpalosura përfshihen:

Lehtësime për bizneset dhe rritje e tavanit të TVSH-së: Premtohet që tavani i TVSH-së të ngrihet në 100,000 euro për t’i ndihmuar bizneset e vogla familjare dhe dyqanxhinjtë që të zhvillohen dhe të rrisin të hyrat e tyre.

Rritje e rrogave dhe pensioneve përmes zhvillimit: U theksua se pa një ekonomi të zhvilluar nuk mund të ketë pensione e rroga më të larta, e as përmirësim të rrugëve, spitaleve apo shkollave.

Pavarësi energjetike: U zotuan për zhbllokimin e projekteve të mëdha energjetike në Kosovë, duke kritikuar blerjen e shtrenjtë të rrymës (800 deri në 1000 euro për megavat) dhe duke premtuar rritje të kapaciteteve vendore.

Siguri dhe aleanca strategjike: Siguria u cilësua si jetike për zhvillimin e vendit. U rikonfirmua qëndrimi i prerë për ruajtjen e partneritetit të palëkundur me ShBA-në dhe NATO-n, duke kritikuar çdo rrymë politike që mendon se Kosova mund të funksionojë pa to.

“Qeveria jonë mundet edhe ka me i gjet zgjidhjet, me ju dhënë rrugë, me u pasuru vetë, me kriju vetë. Nuk po duam me pas qeveri e cila ju thotë mos bëni kurrgjë se unë ju jap paratë, se nuk bëhet shteti ashtu. Nuk është kjo mënyra me bë shtet, as me zhvillu ekonominë. E nëse nuk zhvillohet ekonomia, nuk bëhet shteti, nuk mundeni me pas pensione më të larta, nuk mundeni me pas rroga më të larta, as rrugë më të mira, as spitale më të mira, as shkolla më të mira”, ka thënë Gjini.

Ish-kreu i partisë, Ramush Haradinaj, e vlerësoi Ardian Gjinin, duke e quajtur atë një nga kandidatët më kompetentë për postin e kryeministrit. Sipas tij, Gjini do ta përfaqësonte vendin me dinjitet.

Po ashtu, në këtë tubim Aleanca u bëri thirrje qytetarëve që ta votojnë 128 dhe programin e Ardian Gjinit, program nga i cili, sipas tyre, nuk do të ketë qytetarë të papunë.

Në fund, Aleanca prezantoi edhe kandidatët për deputetë në Kuvendin e Kosovës.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram