I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sørensen, ka zhvilluar një takim me të dërguarën speciale të Mbretërisë së Bashkuar, Dame Karen Pierce, ku është diskutuar për zhvillimet në procesin e dialogut dhe perspektivën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Përmes një njoftimi, Sørensen ka bërë të ditur se gjatë takimit me Pierce kanë biseduar për rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm diplomatik në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, si dhe për nevojën e ruajtjes së ritmit të procesit që synon arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim.
Ai ka theksuar se Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar kanë objektiv të përbashkët për avancimin e procesit të normalizimit dhe stabilitetit në rajon, duke vlerësuar koordinimin mes partnerëve ndërkombëtarë si element të rëndësishëm për suksesin e dialogut. 

