Thursday, May 28, 2026
HomeLajmeKosovëSveçla: Xhandarmëria synon forcimin e kufirit dhe rritjen e reagimit

Sveçla: Xhandarmëria synon forcimin e kufirit dhe rritjen e reagimit

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se është themeluar grupi punues për analizimin dhe propozimin e modaliteteve për krijimin e xhandarmërisë, me qëllim forcimin e vijës kufitare, mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, si dhe reagimin e shpejtë ndaj kërcënimeve të nivelit të lartë.

Në një konferencë për medie, Sveçla tha se grupi punues po analizon aspektet ligjore, financiare dhe operacionale për themelimin e xhandarmërisë si agjenci ekzekutive në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, përmes një ligji të veçantë.

Ai theksoi se funksionalizimi i xhandarmërisë do t’i mundësojë Policisë së Kosovës të fokusohet më shumë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin dhe hetimin e krimit, sigurinë në komunikacion dhe detyrat tjera policore.

Sveçla shtoi se grupi punues ka për detyrë të propozojë mënyrën e rekrutimit të pjesëtarëve të xhandarmërisë, si dhe të shqyrtojë praktikat ndërkombëtare të krijimit të forcave të ngjashme, me theks të veçantë te vendet anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

“Qasja jonë do të jetë profesionale, transparente dhe e koordinuar me të gjitha institucionet relevante të sigurisë dhe mbrojtjes”, deklaroi Sveçla në një konferencë të përbashkët për medie me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.

Ai theksoi se çdo rekomandim do të mbështetet në analiza konkrete të nevojave operative, kapaciteteve ekzistuese dhe standardeve demokratike të kontrollit civil dhe institucional.

Sveçla bëri të me dije se procesi do të zhvillohet në koordinim të plotë me institucionet përgjegjëse dhe në respektim të parimeve demokratike, sundimit të ligjit dhe kontrollit institucional.

Po ashtu ai tha se Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë avancimin e kapaciteteve moderne të sigurisë në përputhje me standardet euro-atlantike dhe nevojat reale të sigurisë së qytetarëve.

I pyetur nga gazetarët se a do të jenë edhe pjesëtarët e KFOR-it në Kosovë pjesë e grupit punues, ai ka thënë se “pjesë e grupit punues janë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, duke filluar nga Ministria e Punëve të Brendshme, pastaj edhe nga Policia, dhe të gjitha institucionet e tjera që merren me sigurinë”.

“Në vazhdimësi ne do të bisedojmë me të gjithë akterët e tjerë, në mënyrë që, të gjitha idetë, sugjerimet, apo modelet të cilat mund të inkorporohen në kuadër të xhandarmerisë ti kemi parasysh’’, ka shtuar ai.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram