Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, në mbledhjen komemorative kushtuar jetës dhe veprës së veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Hafiz Gagica, vlerësoi lart kontributin e tij në organizimin e mërgatës shqiptare dhe mbështetjen e Republikës së Kosovës gjatë viteve ’90.
Gërvalla e cilësoi Hafiz Gagicën si “shtyllë të organizimit të mërgatës”, duke theksuar se ai ishte iniciator, mediator dhe organizator i palodhshëm, tek i cili shqiptarët gjenin mbështetje dhe përfaqësim legjitim të politikës së presidentit Ibrahim Rugova në diasporë.
Sipas saj, zyra e Kosovës në Shtutgart, nën drejtimin e Hafiz Gagicës, ishte shndërruar në një qendër të rëndësishme koordinimi politik dhe logjistik krahas Prishtinas. Ajo tha se nga kjo qendër organizoheshin udhëtimet e presidentit Rugova dhe delegacioneve kosovare në Gjermani, Zvicër, vende të tjera europiane dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Hafiz Gagica ishte nyja lidhëse e Kosovës me mërgatën dhe partnerët ndërkombëtarë”, deklaroi Gërvalla.
Ajo kujtoi gjithashtu rolin e rëndësishëm të Hafiz Gagicës dhe bashkëpunëtorëve të tij, përfshirë veprimtarin Sali Çekaj, në forcimin e mërgatës shqiptare si “krahu i dytë i fuqishëm i Kosovës”.
Në fjalën e saj, Gërvalla theksoi se Hafiz Gagica pati rol vendimtar në sigurimin e financimit për sistemin paralel të Republikës së Kosovës, sidomos në sektorët e arsimit, shëndetësisë dhe furnizimit ushqimor, duke ndihmuar qindra mijëra shqiptarë gjatë periudhës së represionit serb.
Ajo nënvizoi po ashtu kontributin e tij në krijimin e kontakteve intensive të Kosovës me institucionet gjermane, përfshirë Bundestagun, qeverinë federale dhe mediat kryesore gjermane.
“Hafizi nuk ishte njeri i zhurmshëm, por ishte organizator i jashtëzakonshëm”, u shpreh Gërvalla.

