Kanë filluar punimet për pastrimin e rrëshqitjeve të dheut në autostradën “Ibrahim Rugova”, në segmentin Suharekë–Prizren.
Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, projekti për sanimin e skarpateve është hartuar dhe kontrata është dhënë më 10 prill 2026, megjithatë realizimi është vonuar për shkak të ankesave që aktualisht po trajtohen nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP).
Nga ministria theksohet se, nëse procedurat nuk do të ishin zvarritur, punimet do të kishin nisur më herët dhe nuk do të ishte krijuar situata me rrëshqitje dheu në këtë segment rrugor.
Bëhet e ditur se autostrada po pastrohet dhe po ndërhyhet në zonat e prekura, ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje për mirëkuptim për vonesat e shkaktuara.
Po ashtu, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka theksuar se siguria e qytetarëve mbetet prioritet dhe se ndërhyrjet do të vazhdojnë në të gjitha pikat ku ka rrezik për qarkullimin.

