Bunarfest 2026, i cili këtë vit organizohet për herë të 22-të në Prizren, ka nisur me një aksion për pastrimin e mjedisit. Në aktivitetin e mbajtur në lumin Lumbardh morën pjesë rreth 60 aktivistë, të cilët pastruan shtratin e lumit dhe zonat përreth nga mbeturinat.
Në këtë aksion, ku morën pjesë aktivistë vendorë dhe ndërkombëtarë, u grumbulluan mbeturinat nga lumi, u pastruan hapësirat përreth dhe u kryen punime të krasitjes së drunjve. Organizatorët bënë të ditur se qëllimi i aktivitetit ishte ngritja e vetëdijes për mbrojtjen e mjedisit dhe krijimi i një ambienti më të pastër para fillimit të aktiviteteve kryesore të festivalit.
Zëvendësministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Turizmit, Nora Arapi Krasniqi, e cila mori pjesë në aktivitet, tha se Bunarfesti organizohet tradicionalisht çdo vit dhe se interesi për këtë festival po rritet vazhdimisht. Ajo theksoi se përmes aksionit të pastrimit synohet të tërhiqet vëmendja ndaj rëndësisë së ruajtjes së natyrës dhe mjedisit të pastër.
Krasniqi bëri të ditur gjithashtu se garat e raftingut, një nga aktivitetet kryesore të festivalit, do të mbahen të dielën, me pjesëmarrjen e sportistëve dhe aktivistëve nga Kosova dhe shumë vende të tjera.
Në kuadër të Bunarfest 2026, të shtunën në mbrëmje do të organizohen aktivitete muzikore në Autostrada Hangar. Programi do të vazhdojë të dielën me regjistrimin e garuesve, performanca të DJ-ve dhe programe muzikore, ndërsa në fund të ditës do të mbahet ceremonia e ndarjes së çmimeve për fituesit e Bunarfest 2026.
Bunarfesti, i cili organizohet tradicionalisht në Prizren dhe këtë vit shënon edicionin e tij të 22-të, vazhdon të mbledhë çdo vit një numër të madh vizitorësh vendas dhe të huaj.



