Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka pritur në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha, me të cilin ka biseduar për nismat strategjike që synojnë afrimin e qytetarëve dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal e mbarëshqiptar.
Në një postim në Facebook, Haziri ka bërë të ditur se takimi është zhvilluar në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetarit të saj Lumir Abdixhiku.
Sipas tij, në takim është diskutuar edhe për koordinimin e mëtejmë të veprimeve dhe politikave ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe për rolin e Shqipërisë në mbështetjen e proceseve integruese të Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian.
“…kemi diskutuar për koordinimin e mëtejmë të veprimeve dhe politikave ndërmjet dy shteteve tona, për rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në mbështetjen e proceseve integruese të Kosovës në NATO dhe BE, si dhe për realizimin e nismave strategjike që afrojmë më shumë qytetarët dhe forcojnë bashkëpunimin rajonal dhe brenda shqiptar”, ka shkruar Haziri.
Nënkryetari i LDK-së ka falënderuar ministrin Hoxha për vizitën në këtë subjekt, të cilin e ka cilësuar si parti që ka vënë themelet e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.

