Monday, June 1, 2026
HomeLajmeKosovëIKShPK: Në Kosovë janë konfirmuar 25 raste me fruth

IKShPK: Në Kosovë janë konfirmuar 25 raste me fruth

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 1 qershor 2026 në Kosovë janë raportuar gjithsej 25 raste të konfirmuara me fruth, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë evidentuar pesë raste të reja.

Sipas njoftimit, rastet janë raportuar në disa komuna të vendit, ku numri më i madh është regjistruar në Ferizaj dhe Prishtinë me gjashtë raste dhe Kaçaniku me pesë raste. Nga një rast është raportuar edhe në Deçan, Fushë Kosovë, Gjilan, Lipjan, Obiliq dhe Shtime.

IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që të kërkojnë ndihmë mjekësore në rast të paraqitjes së simptomave të sëmundjes.

“IKShPK rekomandon që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë dhe rrufë, të paraqitet menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore”, thuhet në komunikatë.

Instituti po ashtu ka apeluar te prindërit dhe kujdestarët që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre, duke theksuar rëndësinë e imunizimit në parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

“Duke pasur parasysh kontagjiozitetin e lartë të fruthit dhe rrezikun e përhapjes së tij në komunitet, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas kalendarit të rregullt të imunizimit në qendrat e mjekësisë familjare”, thuhet tutje.

Sipas IKShPK-së, vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve të pavaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram