Presidenti Aleksandar Vuçiç tha sonte se Serbia nuk do të vendosë viza për qytetarët e Federatës Ruse.
Zëdhënësi i Presidentit rus, Dmitry Peskov, tha sot në Moskë se vendimi i Serbisë për të hequr regjimin pa viza me Rusinë nuk mund të jetë i njëanshëm, pa masa reciproke.
“Si rregull, vendime të tilla janë simetrike. Ato merren në bazë të reciprocitetit”, u tha Peskov gazetarëve në Kremlin lidhur me akuzat se Serbia mund të heqë regjimin pa viza me Rusinë, raportoi Tass.Gazeta ruse Izvestia njoftoi më parë sot se diskutimet rreth iniciativave anti-ruse po intensifikohen në Serbi, përfshirë heqjen e mundshme të regjimit pa viza me Rusinë deri në fund të vitit, me qëllim anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE).
Vuçiç i tha Televizionit Prva se “dëgjoi për një gjë të tillë për herë të parë” dhe vlerësoi se këto pretendime “janë në kontekstin e ngjarjeve politike në Serbi” sepse “ka shumë që presin mbështetjen e Federatës Ruse para zgjedhjeve dhe përpiqen të thonë më të keqen për ne” – për qeverinë e partisë së tij SNS.
Ai tha se e pyeti Presidenten e Kuvendit, Ana Brnabić, nëse ishte paraqitur një kërkesë për futjen e vizave për rusët, gjë që, tha ai, ajo e mohoi.
“Nuk ka dyshim për këtë, as që do të merret një vendim i tillë. Edhe nëse merret, do të hiqet menjëherë!” tha Vuçiç.

