Wednesday, June 3, 2026
HomeLajmeKosovëHoxha: Hapja e Ambasadës së Belgjikës në Tiranë, shtysë e re bashkëpunimi

Hoxha: Hapja e Ambasadës së Belgjikës në Tiranë, shtysë e re bashkëpunimi

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha zhvilloi një vizitë zyrtare në Bruksel, ku u prit nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Bashkëpunimit për Zhvillim i Belgjikës, Maxime Prévot.

Në një postim në rrjetin social X, ministri Hoxha bëri të ditur se takimi riafirmoi marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Belgjikës, si dhe angazhimin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të partneritetit dypalësh.

Hoxha vlerësoi vendimin e Belgjikës për të hapur ambasadën e saj në Tiranë, duke e cilësuar atë si një hap konkret që do të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi.

“Përshëndeta veçanërisht vendimin e Belgjikës për të hapur një ambasadë në Tiranë, një hap konkret dhe shumë i vlerësuar që do t’i japë një ritëm të ri bashkëpunimit tonë. Shprehëm besimin tonë se ky zhvillim i rëndësishëm do të kontribuojë në zgjerimin e lidhjeve ekonomike, rritjen e tregtisë dhe investimeve, promovimin e turizmit, avancimin e bashkëpunimit në energjinë e rinovueshme dhe krijimin e mundësive të reja në një sërë sektorësh”, u shpreh ai.

Sipas ministrit, bisedimet u përqendruan gjithashtu te bashkëpunimi në fushat e drejtësisë dhe sigurisë, si dhe te sfidat e përbashkëta me të cilat përballet Evropa në kontekstin aktual gjeopolitik.

“Theksova kontributin e rëndësishëm të komunitetit shqiptar në Belgjikë, i cili shërben si një urë e vlefshme midis dy vendeve tona dhe luan një rol kyç në forcimin e lidhjeve njerëzore, kulturore dhe ekonomike. Gjithashtu shpreha vlerësimin e thellë të Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës për zgjerimin, procesin tonë të anëtarësimit në BE. Pas Konferencës së 8-të Ndërqeveritare të suksesshme, Shqipëria ka hyrë në një fazë të re vendimtare të rrugëtimit të saj, me një fokus të qartë në përmbushjen e reformave të mbetura, avancimin e negociatave dhe lëvizjen e qëndrueshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, shkroi Hoxha.

Ai shprehu gjithashtu dëshirën për të vijuar dialogun me homologun belg dhe e ftoi atë për vizitë në Shqipëri, në një kohë sa më të afërt.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram