Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për akreditimin e grupit të dytë me 15,782 vëzhgues për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.
Sipas KQZ-së, vëzhguesit e akredituar përfaqësojnë 15 subjekte politike, 8 organizata joqeveritare vendore, 3 organizata ndërkombëtare, 26 media vendore, 16 media ndërkombëtare dhe 4 përfaqësi diplomatike.
Në mbledhjen e kaluar, KQZ kishte akredituar grupin e parë me 761 vëzhgues, të cilët përfaqësonin 5 OJQ vendore, 1 organizatë ndërkombëtare, 13 media vendore, 7 media ndërkombëtare, 2 përfaqësi diplomatike dhe 1 institucion vendor.
Pas vendimeve të marra në mbledhjen e 60-të, numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026, ka arritur në 16,543 vëzhgues.
Sipas të dhënave të KQZ-së, vëzhguesit e akredituar përfaqësojnë:
15 subjekte politike – 14,925 vëzhgues;13 OJQ vendore – 796 vëzhgues;4 organizata ndërkombëtare – 130 vëzhgues; 39 media vendore – 457 vëzhgues; 23 media ndërkombëtare – 78 vëzhgues; 6 përfaqësi diplomatike – 90 vëzhgues; dhe1 institucion vendor – 67 vëzhgues.
Gjithashtu, KQZ mbështeti rekomandimin për refuzimin e akreditimit të Radio–televizija Vojvodine. Sipas arsyetimit të dhënë, gjatë shqyrtimit dhe vlerësimit të dokumentacionit të paraqitur, Zyra ka konstatuar se organizata në fjalë kishte aplikuar si media vendore. Megjithatë, pas verifikimit të dokumentacionit dhe të dhënave zyrtare, është konstatuar se ajo nuk figuron e regjistruar si media në kuadër të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) dhe as në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK).
Po ashtu, në rubrikën e dedikuar për ngarkimin e certifikatës, ishte ngarkuar kartela identifikuese (ID) e shtëpisë mediatike dhe jo certifikata përkatëse e regjistrimit, siç kërkohet sipas dokumentacionit të aplikimit.
Në të njëjtën mbledhje, KQZ mori vendim për emërimin e ekipeve të numërimit në 38 Qendra Komunale të Numërimit. Sipas vendimit, në këto qendra do të angazhohen 2,213 anëtarë në kuadër të 508 ekipeve të numërimit, të cilët përfaqësojnë subjekte të ndryshme politike pjesëmarrëse në procesin zgjedhor.
Ekipet e numërimit do të verifikojnë rezultatet e subjekteve politike të evidentuara në formularë pas numërimit të fletëvotimeve në vendvotime dhe gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.
KQZ mori gjithashtu vendim për emërimin e 153 anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve të rregullta nga komuna të ndryshme për vendet e paplotësuara. Në mbledhjen e kaluar (59), KQZ kishte vendosur për emërimin e 12,678 anëtarëve, prej të cilëve 1,043 rezervë, për t’u angazhuar në 2,498 vendvotime për votimin e rregullt në 911 qendra votimi.
Po ashtu, në këtë mbledhje, KQZ emëroi 192 anëtarë të 52 Këshillave të Vendvotimeve me kusht në 38 qendra votimi. Anëtarët e emëruar përfaqësojnë subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje dhe do të jenë përgjegjës për përgatitjen dhe administrimin e procesit zgjedhor në vendvotime.
Ndërkaq, KQZ mori vendim për miratimin e stafit rezervë të Këshillave të Vendvotimeve dhe stafit asistues që do të angazhohen në procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike më 6 qershor 2026. Sipas vendimit, numri i personave të emëruar është 66.

