Plotësim-ndryshimi i rregullores për Tarifa, Ngarkesa dhe Gjoba në Komunën e Prishtinës ka zgjuar reagime e debat te qytetarët, bizneset dhe palët e tjera. Në një konsultim publik, përfaqësues biznesesh e të tjerë ngritën shumë shqetësime sa i përket propozimit për tarifat e reja.
“Barnatoret nuk mund të trajtohen njësoj si çdo veprimtari tjetër afariste. Ato kryejnë funksion në mbrojtje të shëndetit publik”, tha Kadri Bytyqi, kryetar i Odës së Farmacistëve.
“Propozimet tona janë që bizneset deri në 10 metra katrorë, ato që nuk e kalojnë qarkullimin 30 mijë euro dhe gratë të lirohen nga tarifa, përderisa të tjerat që i kalojnë këto, të paguajnë shumën prej 100 eurove”, tha Sabedin Hasani, përfaqësues i bizneseve të vogla në Komunën e Prishtinës.
Kjo nismë është kritikuar nga opozita komunale, e cila e ka quajtur të dëmshme dhe diskriminuese për qytetarët jorezidentë. Ndërkohë që gjatë debatit u kërkua që çdo tarifë të jetë e drejtë, proporcionale, e arsyeshme dhe e bazuar në analiza serioze ekonomike e ligjore, derisa u mor shembull se nuk mund të jetë tarifa e njëjtë si për bankat ashtu edhe për sallonet e floktarisë.
“Filozofia e tarifimit të bizneseve në këtë mënyrë është mjaft problematike. Duhet marrë parasysh madhësia e biznesit, qarkullimi vjetor, numri i punëtorëve”, tha Gëzim Sveçla, nga VV.
“Propozoj që me u shtu një nen i ri te transparenca digjitale. Na nuk mundemi me bo një…”
“Nuk mbulon mjaftueshëm as nevojat e qytetarëve të Prishtinës, as të atyre nga jashtë Prishtinës”, tha Besa Shahini, nga PSD.
Në arsyetimin e këtij plotësim-ndryshimi u tha se qëllimi i rregullores është të ndërtojë një sistem më të qartë, më transparent dhe më të drejtë të tarifave komunale.
“Çdo ditë qyteti përballet me një ngarkesë që shkon përtej numrit të banorëve rezidentë. Kjo ngarkesë reflektohet në trafik, në mungesë parkimi, në presion mbi hapësirat publike dhe trotuaret, në ndriçim publik, gjelbërim. Parimi bazë i rregullores është që aktivitetet që krijojnë ndikim më të madh në qytet duhet të trajtohen në mënyrë të ndryshme nga aktivitetet që kanë ndikim më të kufizuar”, tha Luftar Braha, drejtor për Zhvillim Ekonomik dhe Inovacion.
Ky dokument do të jetë në konsultim publik nga data 13.05.2026 deri më 24.06.2026, ku më pas do të dërgohet në Kuvendin Komunal për miratim.

