Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka sqaruar se dy shtetasit serbë, emrat e të cilëve janë përmendur së fundmi në debatet publike, nuk kanë përfituar shtetësinë e Republikës së Kosovës përmes Ligjit të ri për Shtetësinë apo procesit aktual të regjistrimit të fakteve të gjendjes civile.
Sipas MPB-së, të dy personat janë regjistruar në regjistrat përkatës shumë vite më parë. Ministria ka bërë të ditur se Milovan Bojović është regjistruar për herë të parë në vitin 2007 dhe është pajisur me letërnjoftim të Kosovës në vitin 2011, pasi më herët kishte poseduar dokumente identifikuese të UNMIK-ut.
Ndërkaq, Suzana Ranković ka poseduar letërnjoftim të UNMIK-ut që nga viti 2001, ndërsa në vitin 2015 e ka konvertuar atë në letërnjoftim të Republikës së Kosovës.
MPB ka theksuar se këto raste nuk lidhen me ndryshimet e fundit ligjore dhe ka bërë thirrje që para deklarimeve publike të verifikohen faktet, në mënyrë që të shmanget dezinformimi i opinionit publik.

