Saturday, June 13, 2026
HomeLajmeKosovëRadoniqi voton në Pejë, bën thirrje për votim demokratik

Radoniqi voton në Pejë, bën thirrje për votim demokratik

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka votuar sot në mëngjes në qendrën e votimit “Lidhja e Prizrenit” në Pejë, me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.

Pas votimit, Radoniqi deklaroi se të gjitha përgatitjet për procesin zgjedhor janë përmbyllur sipas planit dhe se votimi ka nisur me kohë në të gjithë territorin e vendit.

“Sot fillon dita e zgjedhjeve. Për këtë ditë, KQZ-ja ka qenë e angazhuar që nga shpallja e datës së zgjedhjeve për përgatitjet, ndërsa pothuajse të gjitha përgatitjet deri më sot kanë përfunduar. Tash fillon procesi zgjedhor”, tha Radoniqi.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar dhe për të zgjedhur përfaqësuesit e ardhshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Me këtë, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të dalin dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar”, deklaroi ai.

Kryetari i KQZ-së foli edhe për procesin e votimit të diasporës, i cili ishte zhvilluar një ditë më herët në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

“Dje është votuar në përfaqësitë tona që i kemi hapur si qendra të votimit dhe çdo gjë ka shkuar mirë. Sipas informatave që kemi marrë këtë mëngjes, në qendrat e votimit në Kanada dhe në Amerikë kanë votuar rreth 81 për qind e votuesve me të drejtë vote”, tha Radoniqi.

I pyetur për masat e ndërmarra për ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor, pas problemeve të raportuara në zgjedhjet e kaluara, Radoniqi bëri të ditur se KQZ-ja do të kryejë kontroll të rastësishëm në 10 për qind të të gjitha vendvotimeve.

“KQZ-ja do të bëjë kontrollin e 10 për qind të të gjitha vendvotimeve pasi të kthehet materiali sensitiv në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Ne do të kontrollojmë në mënyrë të rastësishme 10 për qind të të gjitha kutive dhe më pas do të shohim trendin nëse do të ketë nevojë për rinumërim apo jo”, tha ai.

Sipas tij, është shtuar edhe një monitor shtesë në tavolinat e numërimit për të rritur mbikëqyrjen gjatë procesit të numërimit dhe futjes së të dhënave.

Radoniqi njoftoi gjithashtu se të gjithë personat e propozuar për administrimin e procesit zgjedhor janë verifikuar nga institucionet përkatëse.

“Ne ua kemi dërguar listën e kandidatëve, përkatësisht të personave të nominuar, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës për verifikim dhe, sipas të dhënave që kemi marrë, asnjëri prej tyre nuk është nën hetime”, deklaroi ai.

Lidhur me votuesit që nuk dinë shkrim-lexim, Radoniqi tha se procedurat mbeten të njëjta si në proceset e kaluara zgjedhore.

“Nuk kemi bërë asgjë ndryshe nga procesi i kaluar. Personat që nuk dinë shkrim-lexim kanë të drejtë të njoftohen nga familjarët e tyre ose nga persona që mund t’i informojnë lidhur me procesin e votimit, ndërsa pas hyrjes në kabinën e votimit janë të vetëm”, tha ai.

Në fund, kryetari i KQZ-së u bëri thirrje komisionerëve, ekipeve të numërimit, vëzhguesve dhe qytetarëve që të respektojnë ligjin dhe rregullat zgjedhore gjatë gjithë procesit.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram