Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka falënderuar votuesit, anëtarësinë dhe qytetarët e Kosovës për mbështetjen e dhënë në zgjedhje, duke e cilësuar rezultatin si dëshmi të rikthimit të besimit ndaj LDK-së.
Përmes një postimi publik, Abdixhiku tha se partia ka kaluar nga një periudhë e vështirë drejt një stabiliteti të ri politik, duke theksuar se LDK-ja tani qëndron me 20 mandate në Kuvend.
“Qytetarëve të Kosovës – mirënjohje për vlerësimin e dhënë dhe për mundësinë e dytë ndaj nesh. Nga një krizë historike me projeksione të errëta, drejt një stabiliteti të ri dhe rikthimit të besimit duke qenë vetja”, ka shkruar ai.
Ai ka falënderuar veprimtarët e partisë për angazhimin e tyre, duke premtuar se puna dhe kontributi i tyre nuk do të shpërdorohen.
Sipas Abdixhikut, LDK-ja do të vazhdojë zgjerimin dhe konsolidimin e saj në të gjithë Kosovën, ndërsa paralajmëroi edhe reforma të thella të brendshme në parti.
“Kemi nevojë për njerëz që ndërtojnë bashkë me ne dhe që i japin vizionit tonë. Këto reforma do t’i bëjmë me prioritet, shpejt dhe qartë si kurrë më parë”, theksoi ai.
Duke folur për situatën politike në vend, kreu i LDK-së tha se Kosova ka nevojë për stabilitet dhe drejtim të qartë, duke vlerësuar se partia e tij ka kontribuar në krijimin e një balance demokratike në skenën politike.
Në fund, Abdixhiku uroi të gjitha partitë politike për garën dhe rezultatin zgjedhor, duke bërë thirrje që rezultati i zgjedhjeve të shfrytëzohet për të çuar vendin përpara

