Tuesday, June 9, 2026
HomeLajmeKosovëASK: Më pak nxënës dhe studentë sesa një vit më parë

ASK: Më pak nxënës dhe studentë sesa një vit më parë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në bashkëpunim me Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka publikuar statistikat e arsimit për vitin shkollor 2025/2026, të cilat tregojnë rënie të numrit të nxënësve dhe studentëve në shumicën e niveleve arsimore krahasuar me vitin paraprak.

Sipas të dhënave zyrtare, numri i fëmijëve në çerdhe dhe institucionet parashkollore ka shënuar rritje.

Gjatë vitit shkollor 2025/2026 janë regjistruar 35.948 fëmijë, ose 1.910 më shumë se një vit më parë, kur numri ishte 34.038.

Në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët janë regjistruar 198.639 nxënës, krahasuar me 208.515 në vitin shkollor 2024/2025, duke shënuar rënie prej 9.876 nxënësish.

Në sektorin publik vijojnë të jenë të përfshirë 97,8 për qind e nxënësve, ndërsa 2,2 për qind ndjekin mësimin në institucionet private.
Rënie është evidentuar edhe në arsimin e mesëm të lartë.

Numri i nxënësve këtë vit është 62.085, nga 63.551 sa ishte një vit më parë, ose 1.466 nxënës më pak. Nga ta, 91,6 për qind vijojnë mësimin në shkollat publike.
Edhe arsimi i lartë ka shënuar ulje të lehtë të numrit të studentëve.

Në vitin akademik 2025/2026 janë regjistruar gjithsej 64.671 studentë, krahasuar me 64.817 në vitin paraprak. Në universitetet publike studiojnë 34.208 studentë (52,9 për qind), ndërsa në kolegjet private 30.463 studentë (47,1 për qind).

Të dhënat e ASK-së tregojnë se, përkundër rritjes së numrit të fëmijëve në edukimin e hershëm, sistemi arsimor në Kosovë po përballet me trend të vazhdueshëm të rënies së numrit të nxënësve dhe studentëve në nivelet e tjera të arsimit, fenomen që lidhet me ndryshimet demografike dhe migrimin e popullsisë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram