Policia e Kosovës ka njoftuar se në kuadër të veprimeve operative për kapjen e personave të kërkuar dhe të dënuar për vepra penale, zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Podujevë kanë arrestuar një person të kërkuar me urdhëresë të gjykatës.
Sipas njoftimit të Policisë së Rajonit të Prishtinës, i arrestuari është B.K., mashkull, i cili kërkohej për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.
Pas arrestimit, bazuar në urdhëresën e gjykatës kompetente, ai është dërguar në vuajtje të dënimit.
Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë operacionet dhe aktivitetet e saj me qëllim identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e personave të kërkuar nga organet e drejtësisë.

