Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër vendimit të Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke lënë në fuqi gjobën prej 6 mijë eurosh të shqiptuar për shkelje të rregullave zgjedhore gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.
Rasti lidhet me dy ankesa të paraqitura nga Instituti Demokratik i Kosovës, të cilat kishin të bënin me pjesëmarrjen e fëmijëve në tubime zgjedhore të organizuara nga LVV më 3 qershor në Podujevë dhe Lipjan. Pas shqyrtimit të rastit, PZAP kishte konstatuar se përfshirja e të miturve në këto aktivitete përbënte shkelje të Rregullores Zgjedhore për fushatën zgjedhore.
Në ankesën drejtuar Gjykatës Supreme, LVV kishte argumentuar se rregullorja nuk ndalon praninë e të miturve në aktivitete politike, por vetëm angazhimin aktiv të tyre nga subjektet politike, duke pretenduar se një angazhim i tillë nuk ishte dëshmuar në rastin konkret.
Megjithatë, Gjykata Supreme ka vlerësuar se PZAP ka zbatuar drejt dispozitat ligjore dhe se qëllimi i rregullores është mbrojtja e fëmijëve nga përfshirja në aktivitete politike dhe zgjedhore. Sipas gjykatës, interpretimi i dispozitës duhet të bëhet në përputhje me interesin më të mirë të fëmijës dhe standardet për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Po ashtu, gjykata ka theksuar se përgjegjësia e subjektit politik nuk shmanget nga fakti se të miturit mund të kenë qenë të shoqëruar nga prindërit ose se pjesëmarrja e tyre ka qenë me iniciativë personale.
Në vendimin e saj, Gjykata Supreme ka vlerësuar gjithashtu se PZAP ka marrë parasysh peshën e shkeljes, ndikimin e saj të mundshëm në procesin zgjedhor dhe faktin se LVV ishte sanksionuar edhe më herët për shkelje të ngjashme.
Për rrjedhojë, Gjykata Supreme ka lënë në fuqi vendimin e PZAP-it dhe gjobën prej 6 mijë eurosh ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.

