Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se po vazhdon procesi i numërimit të votave nga votimi përmes postës, në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 7 qershor.
Sipas KQZ-së, deri në orën 16:00 të së dielës janë numëruar 57 kuti votimi, të cilat përmbajnë zarfe të aprovuara nga shërbimi votues. Ndërkohë, janë përgatitur dhe regjistruar në platformën e rezultateve gjithsej 156 kuti votimi, ndërsa pritet që ky numër të rritet deri në përfundimin e plotë të procesit të vlerësimit.
Paralelisht, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon edhe vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës. Deri më 13 qershor janë shqyrtuar 75,590 pako, prej të cilave 72,746 janë aprovuar, ndërsa 2,844 janë refuzuar.
Sipas KQZ-së, procesi i vlerësimit pritet të përmbyllet gjatë ditës së sotme. Arsyeja kryesore e refuzimit të pakove mbetet mungesa e dëftesës së regjistrimit, ndërsa në raste të tjera janë evidentuar parregullsi si dërgimi i më shumë se një fletëvotimi në një pako, mospërputhje të shtetit të dërgimit, mungesë e pullës postare apo zarfe të dërguara gabimisht.
KQZ bën të ditur se tërheqja e pakove me fletëvotime nga kutitë postare është përmbyllur më 8 qershor, duke përfshirë 23 kuti postare në 22 shtete të ndryshme. Në total janë pranuar mbi 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, shumica e të cilave tashmë janë vlerësuar.
Pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi, të dhënat janë duke u transmetuar në platformën e KQZ-së për rezultate: https://resultsparliamentary2026.kqz-ks.org/
Rezultatet e përkohshme të partive kryesore (ora 17:40), sipas platformës zyrtare të KQZ-së:
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – 44.96% | 51 ulëse (333,541 vota)
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 20.33% | 23 ulëse (150,823 vota)
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 17.24% | 19 ulëse (127,906 vota)
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – 6.97% | 7 ulëse (51,680 vota)
Lista Serbe – 5.80% | 9 ulëse (43,015 vota)
Vendvotime të procesuara: 2,605 nga 2,790 (93.37%)

