Thursday, July 9, 2026
HomeLajmeKosovëHysri Selimi shpallet fajtor për spiunazh, dënohet me gjashtë vjet burg

Hysri Selimi shpallet fajtor për spiunazh, dënohet me gjashtë vjet burg

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Hysri Selimit, duke e dënuar me gjashtë vjet burgim për veprën penale të spiunazhit.

Aktgjykimi u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Leon Përlaska, së bashku me anëtarët e trupit gjykues, Medie Bytyqi dhe Kushtrim Shyti.

Sipas vendimit të gjykatës, Selimi u dënua me gjashtë vjet burgim, dënim i cili do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Gjykata gjithashtu e obligoi atë të paguajë 100 euro për paushallin gjyqësor dhe 50 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Po ashtu, gjykata vendosi vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Selimit. I akuzuari nuk ishte i pranishëm gjatë shpalljes së aktgjykimit.

Në seancën e shpalljes së vendimit morën pjesë prokurori Bekim Kodraliu dhe mbrojtësi i të dënuarit, avokati Ali Beka.

Selimi ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 23 shtator 2025.

Sipas aktakuzës së ngritur më 9 shtator 2025 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Hysri Selimi akuzohej se nga nëntori i vitit 2009 deri në arrestimin e tij më 6 maj 2025 kishte vepruar si i rekrutuar i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA), duke mbledhur dhe transmetuar informacione që lidhen me veprimtarinë e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, krimet e luftës, personat e radikalizuar dhe pjesëmarrjen e shtetasve shqiptarë në konfliktin në Siri.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram