Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur fajtor të pandehurin F.A. për veprën penale “kanosja”, duke e dënuar me një (1) vit burgim efektiv.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga Gjykata Themelore – Departamenti i Përgjithshëm, i pandehuri është gjetur fajtor pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave personale dhe materiale.
Ngjarja për të cilën u akuzua F.A. ka ndodhur më 8 mars 2026, në një fshat të komunës së Ferizajt, ku sipas aktakuzës, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme, ai e ka kanosur të dëmtuarin V.M., duke mbajtur në dorë një mjet të mprehtë (sopatë) dhe duke i shkaktuar ndjenjë frike dhe pasigurie.
Gjykata ka bërë të ditur se i pandehuri do të mbetet në paraburgim deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.
Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në Prishtinë brenda afatit ligjor prej 30 ditësh.

