Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, së bashku me zëvendëskryeprokurorin, Labinot Jetishi, kanë pritur sot në takim pune drejtorin e Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu, dhe përfaqësues të kësaj akademie, me të cilët kanë diskutuar çështje me interes të përbashkët në fushën e zhvillimit profesional dhe bashkëpunimit institucional.
Sipas njoftimit, me këtë rast, Kryeziu u ka shprehur mirëseardhje dhe falënderim përfaqësuesve të Akademisë së Drejtësisë, duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm ndërinstitucional dhe duke theksuar rëndësinë e ngritjes së vazhdueshme të kapaciteteve profesionale të prokurorëve dhe stafit mbështetës.
“Gjatë takimit, u diskutua lidhur me nevojat për trajnime profesionale të prokurorëve të Prokurorisë Themelore në Prizren, si dhe përfshirjen e këtyre kërkesave në plan-programet trajnuese të Akademisë së Drejtësisë, me qëllim të avancimit të njohurive dhe zhvillimit profesional”, thuhet në njoftim.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Akademisë së Drejtësisë shprehën gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Prizren, duke ofruar mbështetje në realizimin e programeve trajnuese dhe aktiviteteve të tjera profesionale.
Në përfundim të takimit, palët ritheksuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit institucional, në funksion të forcimit të profesionalizmit, efikasitetit dhe zhvillimit të vazhdueshëm të sistemit prokurorial.

