Me 478 vota për, 115 kundër dhe 54 abstenime, u miratua Rezoluta për Kosovën në Parlamentin Evropian.
Përmes Rezolutës së miratuar, ky institucion shpreh keqardhje të thellë për vitin e humbur për Kosovën si pasojë e ngërçit politik. Paralajmërohet se edhe muajt në vijim mund të jenë të humbur për shkak të procesit zgjedhor. Si rezultat, vendi mund të mos jetë në gjendje t’i përmbushë brenda afateve të gjitha reformat e nevojshme dhe rrezikon të humbasë një pjesë të konsiderueshme të mbështetjes financiare nga Plani i Rritjes.
Autori i draftit të dokumentit, eurodeputeti Riho Terras, ka vlerësuar se, edhe pse të gjitha zgjedhjet e vitit 2025 janë zhvilluar në mënyrë të rregullt, procesi normal politik është cenuar rëndë dhe se Kosova, gjatë 16 muajve të fundit, ka qenë në një fushatë të përhershme zgjedhore.
Në Rezolutë mbështetet, mes tjerash, aplikimi i Kosovës për statusin e vendit kandidat dhe u bëhet thirrje shteteve anëtare që, pa vonesa të panevojshme, ta mandatojnë Komisionin Evropian për hartimin e pyetësorit.
Përshëndetet vendimi, ndonëse i vonuar, për heqjen e masave dhe thuhet se ato ishin në kundërshtim të qartë me angazhimin e dëshmuar të Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe përafrimit me politikat e BE-së. Në dokument, këto masa cilësohen të pajustifikuara dhe thuhet se ato kanë pasur ndikim negativ në shoqërinë e Kosovës.
Në Rezolutë përshëndetet përkushtimi i vazhdueshëm i Kosovës ndaj procesit të integrimit. Në këtë kontekst rikujtohet se dialogu mbetet pjesë integrale e perspektivës evropiane të Kosovës.
Kosovës dhe Serbisë u bëhet thirrje që të bashkëpunojnë dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për t’i sjellë sa më shpejt para drejtësisë autorët e sulmit terrorist të vitit 2023 në Banjskë.

