Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka deklaruar se Parlamenti Evropian ka miratuar rregulloren e re evropiane për riatdhesimet, të cilën e cilësoi si një vendim historik.
“Dita e sotme është një sukses i madh për Italinë në Evropë. Parlamenti Evropian ka miratuar rregulloren e re për riatdhesimet, një masë historike që na lejon të kthejmë më shpejt ata që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Bashkimin Evropian”, tha Meloni në një video të publikuar në rrjetet sociale.
Sipas saj, rregullorja parashikon edhe mundësinë e hapjes së qendrave të riatdhesimit në vende të treta, duke ndjekur modelin e protokollit të Italisë me Shqipërinë.
“Ajo që është miratuar sot ndjek rrugën e hapur nga qeveria italiane me protokollin me Shqipërinë, një zgjidhje inovative që është kundërshtuar nga e majta italiane dhe evropiane, por që sot është bërë instrument në dispozicion të gjithë Evropës”, u shpreh Meloni.
Ajo shtoi se qeveria italiane ka premtuar mbrojtjen e kufijve, uljen e zbarkimeve të emigrantëve, luftimin e trafikantëve të qenieve njerëzore dhe riatdhesimin e shpejtë të personave pa të drejtë qëndrimi në BE.
“U kishim premtuar italianëve se do të ndryshonim Evropën dhe e kemi bërë, me guxim, durim dhe vendosmëri. Nuk do të ndalemi, do të vazhdojmë përpara”, përfundoi ajo. / Burimi: Ilrestodelcarlino.it

