Wednesday, June 17, 2026
HomeLajmeKosovëNumërohen mbi 96% e votave me postë, LVV prin me 53 ulëse...

Numërohen mbi 96% e votave me postë, LVV prin me 53 ulëse në Kuvend

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i numërimit të votave nga diaspora, përkatësisht atyre të dërguara përmes postës, në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Sipas KQZ-së, deri në orën 09:00 të së mërkurës janë numëruar 215 nga gjithsej 223 kuti votimi, ose 96.41 për qind e tyre. Procesi ka nisur më 12 qershor dhe pritet të përmbyllet pas numërimit të tetë kutive të mbetura.

Ndërkohë, këtë mëngjes ka nisur edhe numërimi i votave me kusht, të cilat janë hedhur në 52 vendvotime të veçanta në mbarë vendin. Në këtë kategori janë evidentuar gjithsej 8,751 votues.

Po ashtu, ka filluar edhe numërimi i votave të personave me nevoja të veçanta, të cilët kanë votuar jashtë vendvotimeve përmes ekipeve lëvizëse. Për këtë formë votimi kanë qenë të regjistruar 3,144 votues.

KQZ rikujton se votimi përmes postës është zhvilluar nga 21 maji deri më 6 qershor, ndërsa për këtë mënyrë votimi ishin regjistruar rreth 105 mijë shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë vendit.

Më 14 qershor, Komisioni përmbylli procesin e verifikimit të 85,790 pakove të supozuara me fletëvotime të ardhura me postë. Prej tyre, 82,809 janë aprovuar për numërim, ndërsa 2,981 janë refuzuar për shkak të mospërmbushjes së kritereve ligjore.

Votimi me kusht dhe ai i personave me nevoja të veçanta janë zhvilluar në ditën e zgjedhjeve, më 7 qershor. Votimi me kusht është organizuar në 38 qendra votimi, nga një në secilën komunë, ndërsa votimi i personave me nevoja të veçanta është realizuar në adresat e votuesve të regjistruar përmes ekipeve lëvizëse të KQZ-së.

Nga votat e numëruara deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 mandate parlamentare.

Sipas rezultateve të deritanishme të KQZ-së, VV-ja prin me 47.15 për qind të votave, duke grumbulluar 379 mijë e 111 vota dhe 53 ulëse në Kuvend. Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës me 22 mandate dhe 19.45 për qind, duke grumbulluar 156 mijë e 414 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar 18 ulëse me 16.71 për qind dhe 134 mijë e 375 vota. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka 7 mandate me 6.72 për qind dhe 54 mijë  e 71 votë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram