Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të kryesisë, ku temë qendrore ishte përgatitja për procesin e zgjedhjeve të brendshme në të gjitha nivelet e organizimit, nga nëndegët deri te pozita e kryetarit.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, theksoi rëndësinë e një procesi korrekt dhe transparent, duke garantuar standarde të larta demokratike në çdo hap të tij.
Në këtë kuadër u vendos formimi i një grupi punues, i cili do të ketë përgjegjësi për përgatitjen teknike dhe ligjore të procesit zgjedhor, si dhe për mbarëvajtjen dhe strategjinë e përgjithshme.
Afati i përcaktuar për fillimin e zgjedhjeve të brendshme është muaji shtator, duke i dhënë kohë strukturave organizative për përgatitje të plotë.

