Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka folur edhe sot për rëndësinë e fuqizimit ekonomik të grave, duke e cilësuar atë si faktor kyç për zhvillimin e familjes dhe shoqërisë.
Në një postim në Facebook, Kurti ka thënë se një grua ekonomikisht e pavarur përbën “shtyllë të një familjeje të fortë, të një shoqërie përparimtare dhe të një ekonomie të zhvilluar”.
Këto deklarime pasojnë konferencën e djeshme “Gratë në Biznes – She Rises 2026”, e cila u mbajt në Prishtinë nën organizimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit. Në këtë konferencë morën pjesë rreth 300 gra nga fusha e ndërmarrësisë, institucione vendore dhe organizata ndërkombëtare.
Kurti theksoi se Qeveria e Kosovës e sheh barazinë gjinore si parim udhëheqës dhe rrugë të domosdoshme drejt progresit, duke shtuar se mbështetja për gratë në biznes nuk ka mbetur vetëm deklarative, por është përkthyer në programe konkrete.
Ai përmendi subvencionimin e drejtpërdrejtë, lehtësimin e qasjes në financa, si dhe zgjerimin e mbështetjes për ndërmarrësinë e grave përmes digjitalizimit dhe inovacionit. Po ashtu, njoftoi edhe krijimin e Divizionit për Gratë Ndërmarrëse në kuadër të një agjencie që po themelohet nga ministria përkatëse.
Kurti bëri të ditur se pritet të nisë edhe programi “Superpuna për Gratë”, i cili do të mbështesë gratë që hyjnë ose rikthehen në tregun e punës, duke subvencionuar pagën minimale për gjashtë muaj dhe duke lehtësuar punësimin e tyre në sektorin privat.

