Algjeria ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në Grupin J të Kupës së Botës 2026, duke përmbysur rezultatin ndaj Jordanisë për të triumfuar me shifrat 2:1.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë, ku algjerianët krijuan rastet e para të rrezikshme përmes Amine Gouirit dhe Riyad Mahrezit, por pa arritur të gjejnë rrugën e rrjetës.
Megjithatë, pavarësisht dominimit të skuadrës afrikane, Jordania kaloi në epërsi rreth dhjetë minuta para përfundimit të pjesës së parë. Pas një aksioni të nisur nga Mahmoud Al Mardi, topi përfundoi te Nizar Al Rashdan, i cili shënoi për 1:0.
Pas pushimit, Algjeria u hodh në sulm në kërkim të barazimit dhe presioni i vazhdueshëm dha rezultat në pjesën e dytë. Nadir Benbouali realizoi me kokë pas një goditjeje nga këndi të ekzekutuar nga Mahrez, duke barazuar shifrat në 1:1.
Kur ndeshja po i afrohej fundit, “Luftëtarët e Shkretëtirës” gjetën edhe golin e fitores. Pas një tjetër goditjeje nga këndi, Amine Gouiri preku topin vendimtar për ta dërguar në rrjetë. Goli u konfirmua edhe pas rishikimit nga VAR-i, duke vulosur përmbysjen e madhe të Algjerisë.
Me këtë fitore, Algjeria shmang eliminimin e parakohshëm dhe mbetet në garë për kualifikim në fazën eliminatore. Në ndeshjen e fundit të grupit, algjerianët do të përballen me Austrinë në një duel direkt për vendin e dytë pas Argjentinës.
Në anën tjetër, Jordania eliminohet nga Botërori në paraqitjen e saj të parë në këtë kompeticion. Përfaqësuesja aziatike, megjithatë, la përshtypje pozitive me paraqitjet e saj dhe do ta mbyllë aventurën në Kupën e Botës me përballjen ndaj Argjentinës.

