Norvegjia ka vazhduar paraqitjet mbresëlënëse në Kupën e Botës 2026, duke triumfuar ndaj Senegalit me rezultat 3:2 dhe duke siguruar kalimin në fazën e 1/32 së finales.
Skuadra e drejtuar nga Stale Solbakken e nisi ndeshjen me ritëm të lartë dhe krijoi disa raste të mira që në minutat e para. Pas disa tentimeve të rrezikshme, norvegjezët kaluan në epërsi pak para përfundimit të pjesës së parë, kur Marcus Holmgren Pedersen përfitoi nga një gabim i mbrojtësit Kalidou Koulibaly dhe realizoi për 1:0.
Në fillim të pjesës së dytë, Norvegjia dyfishoi avantazhin. Martin Odegaard udhëhoqi një kundërsulm të shpejtë dhe asistoi për Erling Haalandin, i cili shënoi me saktësi për 2:0.
Senegali reagoi shpejt dhe ngushtoi rezultatin në 2:1 me anë të Ismaila Sarr, pas një aksioni të bukur të nisur nga Sadio Mane. Megjithatë, vetëm pesë minuta më vonë, Haaland realizoi golin e dytë personal në ndeshje, duke rikthyer epërsinë prej dy golash për norvegjezët.
Në minutat shtesë, Sarr shënoi edhe golin e dytë për Senegalin dhe vendosi rezultatin përfundimtar 3:2, por goli erdhi shumë vonë për të ndryshuar fatin e takimit.
Me këtë fitore, Norvegjia arrin suksesin e dytë radhazi në Grupin I dhe siguron matematikisht kualifikimin në fazën eliminatore. Në ndeshjen e fundit të grupit, norvegjezët do të përballen me Francën për vendin e parë.
Nga ana tjetër, Senegali mbetet pa pikë pas dy ndeshjeve, por ende ruan shpresat për kualifikim si një nga skuadrat më të mira të vendeve të treta, nëse arrin fitore ndaj Irakut në xhiron e fundit.

