Inspektorati i Kryeqytetit ka shqiptuar dy gjoba në vlerë prej 200 euro secila për shkelje të rregullave të menaxhimit të mbeturinave në territorin e Prishtinës.
Sipas njoftimit të Komunës së Prishtinës, një gjobë prej 200 eurosh është shqiptuar për hedhjen e mbeturinave vëllimore në lagjen Lakrishtë, ndërsa gjoba e dytë, po ashtu në vlerë prej 200 eurosh, i është shqiptuar një biznesi për hedhjen e mbeturinave biznesore në kontejnerët e dedikuar për amvisëri.
Autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të respektojnë rregullat për menaxhimin e mbeturinave dhe të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë së kryeqytetit.
Komuna ka bërë të ditur se inspektimet në terren do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme dhe se ndaj shkelësve do të ndërmerren masa ndëshkuese në përputhje me legjislacionin në fuqi.

