Është botuar libri më i ri me poezi i poetes dhe studiueses Donika Dabishevci, me titull “Grue prej zjermi”.
Ky vëllim poetik e vendos dashurinë në qendër të ligjërimit, duke e trajtuar si përvojën më të thellë të qenies njerëzore dhe si hapësirë ku njeriu përballet me veten, tjetrin dhe kuptimin e ekzistencës.
Në këtë univers poetik, gruaja shfaqet si bartëse e lirisë, kujtesës, rebelimit dhe qëndresës shpirtërore, ndërsa poezia shndërrohet në reflektim mbi identitetin, kohën dhe kërkimin njerëzor për afri e kuptim.
Libri bart frymën e një brezi të rritur mes luftërash, tranzicionesh dhe zhgënjimesh, i cili vazhdon të kërkojë kuptim, liri dhe dinjitet njerëzor.
Dabishevci ka thënë se vepra përfaqëson kthimin e saj në poezinë e dashurisë dhe të gruas si subjekt qendror.
“Pas librit ‘E gjithkohshmja Andërr’, që futet thellë n’mizorinë dhe tmerret e luftës, jam rikthy n’truallin tem t’natyrshëm poetik. Te Donika që i këndon dashnisë. Te Donika që i këndon gruas. Te Donika që i këndon lirisë. Sepse gjithmonë kam besu se dashnia asht ajo që e çon njeriun drejt thelbit t’qenies, aty ku trupi, mendimi e shpirti flasin t’njajtën gjuhë. Aty ku bien maskat, shdavariten iluzionet dhe shpirti mbetet lakuriq përballë vetes, tjetrit e jetës. Aty ku e ndjejmë kohën ma thellë, përkohësinë ma randë e etjen tonë ma t’vjetër: me u pa, me u kuptu, e me u bashku me tjetrin me tan’ fuqinë”, ka thënë ajo.
Sipas autores, “Grue prej zjermi” është libër për gruan që dashuron me trup, me mendje e me shpirt, por edhe për gruan që mban brenda vetes mall, epsh, butësi, mllef, dhembshuri e rebelim.
Donika Dabishevci është poete, studiuese dhe botuese, e cila ka përfunduar studimet doktorale në letërsi në Universitetin e Tiranës. Ajo ka botuar disa vepra poetike dhe studimore, ndërsa poezia e saj është përkthyer në 12 gjuhë të botës.


