Lidhja Demokratike e Kosovës është mbledhur sot në një takim, e të cilin nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri e ka quajtur si kolegjium të degëve të LDK-së në kuadër të zhvillimeve paszgjedhore.
Para fillimit të takimit, ai ka thënë se ky është një proces i rregullt i punës së partisë dhe se organet e LDK-së po e analizojnë situatën paszgjedhore.
“Është takim i kolegjiumit në situatë paszgjedhore, pjesë e punës ku kryetari i LDK-së dhe organet e partisë fillojnë me e trajtuar situatën paszgjedhore. Kjo është në funksion të proceseve politike në të cilat LDK-ja ka vendosur parimisht të jetë pjesë aktive në thirrjen e institucioneve”, ka deklaruar Haziri.
Në pyetjen nëse në këtë takim do të flitet edhe për kërkesën e disa degëve të partisë për dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, ai ka theksuar se për gjithçka që do të dalë nga ky takim opinioni do të njoftohet pas përfundimit të tij.
Ndërkaq, pyetjes së gazetarëve nëse ka ndonjë takim mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit, Haziri nuk iu ka përgjigjur fare.

