Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se punimet e asfaltimit në kyçjen e Mazgitit kanë përfunduar sipas planifikimit dhe ky segment tashmë është lëshuar për qarkullimin e automjeteve
Sipas ministrisë, ndërhyrja është realizuar si një masë e përkohshme për të përmirësuar kushtet e qarkullimit dhe për të rritur sigurinë në këtë pjesë të rrugës, deri në përfundimin e analizave teknike që do të përcaktojnë zgjidhjen afatgjatë për problemin e ujërave nëntokësore, të cilat po dëmtojnë trupin e rrugës.
“Gjatë ditëve në vijim do të përfundojë edhe vendosja e sinjalizimit horizontal, me ç’rast do të kompletohen të gjitha punimet e planifikuara në këtë faze”, thuhet në njoftim.
Në fund, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka falënderuar qytetarët për durimin dhe mirëkuptimin e treguar gjatë zhvillimit të punimeve.

