Monday, August 3, 2026
HomeLajmeKosovëBajroviqi dënohet me 12 vjet burgim në rigjykim për krime lufte në...

Bajroviqi dënohet me 12 vjet burgim në rigjykim për krime lufte në Saradran

Ekrem Bajroviqi është shpallur sërish fajtor në rigjykim dhe është dënuar me 12 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile në fshatin Saradran.

Aktgjykimi u shpall të premten nga kryesuesi i trupit gjykues, Avni Syla, i cili njoftoi se Bajroviqi u shpall fajtor për veprën penale të krimit të luftës ndaj popullatës civile në bashkëkryerje.

Gjykata vendosi që në dënimin prej 12 vjetësh t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, duke filluar nga 19 tetori 2022, ndërsa masa e paraburgimit do të vazhdojë deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit. Bajroviqi u detyrua gjithashtu të paguajë 300 euro shpenzime gjyqësore dhe 100 euro për kompensimin e viktimave të krimit. Palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh në Gjykata e Apelit e Kosovës.

Sipas aktakuzës, Bajroviqi, në cilësinë e policit në Stacionin Policor në Gurrakoc, më 8 maj 1999, në bashkëpunim me pjesëtarë të forcave serbe, ndaloi një kolonë civilësh shqiptarë që po largoheshin drejt Shqipëri. Nga kolona u ndaluan 16 burra, të cilët, sipas aktakuzës, u rrahën dhe më pas u pushkatuan. Njëri prej tyre, i identifikuar me inicialet N.E., mbijetoi pasi u plagos rëndë dhe u la mes trupave të viktimave.

Aktakuza e ngarkon Bajroviqin edhe për ngjarjet e 7 majit 1999 në Saradran, ku pretendohet se mori pjesë në arrestimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve shqiptarë. Sipas prokurorisë, civilët u ndanë nga kolona, u morën paratë dhe sendet me vlerë, më pas u dërguan në Gurrakoc, ku u maltretuan dhe u torturuan, përpara se të transferoheshin në stacionin policor, ku, sipas aktakuzës, kolonës i printe Bajroviqi.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram