Ferma “Rudina” ka shpërndarë falas 2 mijë litra qumësht të freskët për qytetarët e Prizrenit, në një akt solidariteti mes vështirësive me të cilat po përballet.
Përmes një njoftimi, ferma bëri të ditur se vendosi të mos e derdhë qumështin, por ta dhurojë atë për familjet e qytetit.
“Besojmë se qumështi duhet të arrijë në sofrat e familjeve, jo të derdhet. Ky është një gjest solidariteti dhe respekti për komunitetin tonë, por edhe një mesazh se puna e fermerit duhet të vlerësohet”, thuhet në reagimin e Fermës “Rudina”.
Ferma falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe besimin e treguar duke theksuar se edhe në kohë sfidash solidariteti mbetet vlera më e madhe.
Po ashtu, u zotua se do të vazhdojë të jetë pranë komunitetit duke ofruar qumësht të freskët dhe cilësor me përkushtim maksimal. /Kosovatimes/

