Në fshatin Ballancë të Komunës së Vitisë, ka shpërthyer një zjarr të dielën duke përfshirë sipërfaqe me bar të thatë, ndërsa erërat e forta po e vështirësojnë vënien nën kontroll të flakëve.
Drejtori i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, Hetem Jakupi, ka bërë të ditur se njësitë profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit janë në terren dhe po punojnë për shuarjen e zjarrit.
Sipas tij, prioritet mbetet mbrojtja e jetës dhe pronës së qytetarëve, si dhe e tokave bujqësore me grurë, për të parandaluar dëmet në të mbjellat e fermerëve.
Jakupi u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme pranë zonës së zjarrit, të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve përkatëse.

