Dymbëdhjetë vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, do të shpenzojnë më shumë se 50 miliardë dollarë gjatë dhjetë viteve të ardhshme për raketa të reja me rreze të gjatë veprimi për të mbrojtur Evropën. Projekti Deep Precision Strike, shkruan BBC , u prezantua nga zyra e kryeministrit Keir Starmer të mërkurën dhe duhet të diskutohet në samitin e NATO-s në kryeqytetin turk, Ankara.
Të reklamuara si një nga armët më të përparuara të NATO-s, raketat pritet të godasin objektiva pothuajse 300 kilometra larg me saktësi ekstreme, me aftësinë për të zgjeruar rrezen e tyre të veprimit deri në 2,000 kilometra. Starmer tha se iniciativa e udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar do të “ndihmonte në bashkimin e aleatëve evropianë për të siguruar që NATO të mbetet e sigurt në të ardhmen” dhe për të ndërtuar “një NATO më të fortë dhe më evropiane”.
Ashtu si shumë projekte të tjera ushtarake në zhvillim e sipër, Deep Precision Strike nuk pritet të jetë gati deri në vitet 2030.

Kujtojmë se Presidenti i SHBA-së,
Donald Trump, e ka bërë të qartë vazhdimisht se dëshiron që anëtarët e NATO-s të kontribuojnë më shumë në shpenzimet e mbrojtjes, dhe në samitin e NATO-s të vitit të kaluar, anëtarët ranë dakord të ndajnë pesë përqind të PBB-së për mbrojtje deri në vitin 2035.
Në samitin e këtij viti, Starmer pritet të nxjerrë në pah kërcënimin që Rusia paraqet për Mbretërinë e Bashkuar dhe NATO-n. Qeveria tha se NATO kishte ngritur avionë luftarakë më shumë se 700 herë për të kapur avionë rusë që i afroheshin hapësirës ajrore aleate dhe se aktiviteti ushtarak rus rreth ujërave britanike ishte rritur me 30 përqind.
“Me një aftësi goditjeje precize, Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët tanë do të jenë në gjendje të godasin objektiva ushtarake dhe sistemet logjistike që lëvizin ushtritë, duke penguar çdo agresor dhe duke forcuar sigurinë tonë të përbashkët. Në Ankara, ne po i dërgojmë një mesazh të qartë Presidentit rus Vladimir Putin : NATO është më e fortë, më evropiane dhe e gatshme të mbrojë qytetarët tanë nga kërcënimi afatgjatë që paraqet ai dhe shteti rus”, tha Yvette Cooper , Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar.

Zëdhënësi i Kremlinit,
Dmitry Peskov, tha të martën se Rusia do ta monitorojë nga afër samitin në Ankara. Ai shtoi se asnjë armë e re që Kievi do të marrë nga NATO nuk mund ta pengojë Rusinë të vazhdojë operacionin e saj në Ukrainë derisa të arrihen qëllimet e saj.
– Në kontekstin e përgatitjeve për këtë samit, dëgjuam shumë deklarata në lidhje me vendin tonë. Fatkeqësisht, këto nuk ishin deklarata për angazhim konstruktiv dhe dialog, por deklarata me natyrë konfrontuese. Një zgjidhje për këtë konflikt përmes mjeteve politike dhe diplomatike është ende e dëshirueshme për Rusinë – u tha Peskov gazetarëve, siç raportohet nga
BBC.

