Protesta e aktivistëve dhe qytetarëve në Tiranë hyri këtë të enjte në ditën e saj të 40-të. Ashtu si në ditët e mëparshme, pjesëmarrësit u mblodhën rreth orës 19:30 në sheshin “Skënderbej”, nga ku vijuan protestën me thirrje kundër qeverisë.
Gjatë grumbullimit, protestuesit brohoritën: “Ju erdhi fundi”, “Shqipëri e re”, “Edi Rama o tradhtar, me Shqipërinë mos bëj pazar”, “Edi Rama prite popullin se po vjen”, “Rama jep dorëheqjen” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”.
Më pas, ata marshuan drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku u ndalën përpara godinës së Kryeministrisë. Aty vijuan me fjalime dhe thirrje kundër qeverisë, ndërsa kërkesa kryesore e protestuesve mbeti dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë aktuale.
Gjatë tubimit, aktivisti Arben Kola bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën e paralajmëruar më 11 korrik, duke deklaruar:
“Në datën 11 do të jetë një protestë shumë e madhe dhe qytetarët do t’i bëjnë një bojkot të madh kryeministrit në ikje Edi Ramës dhe Kanye West.”
Pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit vijuan marshimin në rrugët e kryeqytetit. Sipas organizatorëve, protesta pritet të zgjasë deri pak para mesnatës, ndërsa ata kanë paralajmëruar një mobilizim më të gjerë kombëtar në protestën e 11 korrikut.

