Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku, në prag të fillimit të mbledhjes së kryesisë së kësaj partie deklaroi se kjo mbledhje do t’i kushtohet analizës së rezultateve zgjedhore, derisa tha se diskutimet e brendshme janë pjesë e funksionimit demokratik të LDK-së.
Lushaku tha se është normale që në një parti demokratike të ketë diskutime dhe qasje të ndryshme, teksa nuk e përjashtoi mundësinë që në kryesi të diskutohet edhe për nënshkrimet për shkarkimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Do të bëjmë një analizë të rezultateve. Si parti demokratike është normale të ketë gjithmonë diskutime të brendshme dhe kjo është praktika demokratike që e bën LDK-ja”, tha ajo.
E pyetur nëse dikush ka kërkuar nënshkrimin e saj në kuadër të iniciativave të përfolura për largimin e kryetarit Abdixhiku, ajo mohoi të jetë përfshirë në një proces të tillë.
“Jo, nuk jam e përfshirë. Jemi në një fazë ku LDK-ja duhet të bëjë analizën e zgjedhjeve dhe të zgjidhë çdo problem me dialog të brendshëm. Kështu kemi vepruar edhe më herët. Nuk është çështje nënshkrimesh, por shumë më tepër çështje diskutimesh të brendshme”, u shpreh ajo.
Sipas saj, në çdo parti demokratike ekzistojnë dallime në qasje, por vendimet duhet të merren gjithmonë në funksion të interesit të partisë dhe të Kosovës.
“Ne jemi shembull për partitë në Kosovë, prandaj duhet të përkujdesemi që demokracia e brendshme të jetë mbi çdo interes dhe mbi çdo person”, tha Lushaku.
Ajo shtoi se analiza e zgjedhjeve është e domosdoshme dhe se brenda partisë mund të diskutohen të gjitha temat, përfshirë edhe nënshkrimet e delegatëve të Kuvendit të LDK-së për shkarkimin e kreut të partisë.
“Absolutisht, në pikën të ndryshme mund të diskutojmë gjithçka, por këto janë diskutime të brendshme. Këto mund të jenë tema diskutimi dhe vendime të brendshme partiake, por kërkojnë gjithmonë diskutim brenda partisë. Nuk mund t’u paraprijmë dhe t’i diskutojmë publikisht pa u trajtuar më parë në organet e LDK-së”, përfundoi ajo.

