Thursday, July 9, 2026
HomeLajmeKosovëLDK mbledh kryesinë, përmenden nënshkrimet për shkarkimin e Abdixhikut

LDK mbledh kryesinë, përmenden nënshkrimet për shkarkimin e Abdixhikut

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës po mban mbledhje për të diskutuar qëndrimin që do të mbajë karshi ofertave për formimin e institucioneve. Disa nga deputetët e zgjedhur kanë përmendur edhe mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit, Lumir Abdixhiku.

Ferati: Nuk ka shkarkim të Abdixhikut, ka iniciativa demokratike

Sekretari i LDK-së, Ilir Ferati, ka thënë se do të deklarohen për qëndrimet e tyre pas përfundimit të mbledhjes.

Për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kreut, Lumir Abdixhiku, ai tha se “nuk ka shkarkim, por iniciativa demokratike”.

“Nuk e besoj që delegatët e LDK-së kanë me e shkarkuar kryetarin. S’ka pasur kurrë si praktikë. Edhe e kisha lutur edhe mediat, edhe analistët, edhe organizatorët, besoj, që me pasur kujdes qysh po i emërtojnë iniciativat që i kanë marrë. Nuk ka shkarkim, ka iniciativa demokratike, të cilat njerëzit kanë drejtë me i marrë edhe me u vazhduar me një procedurë deri sa të mbërrijnë me i finalizuar, nëse mbërrijnë”, tha ai.

Ai foli për anëtarësimin dhe përkatësinë në LDK, duke thënë se këtë nuk e përcakton një individ, por bindjet politike.

“Sot është takimi i Kryesisë. Mbas Kryesisë dikush del edhe, sigurisht, i interpreton qëndrimet e mbledhjes edhe në raport me takimin me Kurtin edhe me temat e tjera për të cilat keni nevojë me u qartësuar”, tha ai.

Haziri: Jemi duke shqyrtuar një sërë çështjesh, në mesin e tyre edhe ftesën e Kurtit për takim

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, njoftoi se në mbledhje janë duke u shqyrtuar një sërë çështjesh, në mesin e tyre edhe ftesa e Kurtit për takim. 

“LDK po diskuton në debat të brendshëm dy çështje thelbësore, duke analizuar rezultatin e fundit zgjedhor. Pas takimit sot, Kryesia ka nxjerrë nevojën që të diskutohen kërkesat që lidhen me interesimin për bashkëpunim si vlerë politike. Nuk ka hapësirë dhe asnjë arsyeje me e mendu opsionin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vjeshtë, por ftesa e sotme konfirmon se Abdixhiku ka trajtuar letrën, është duke e diskutuar dhe do t’i japë sqarimet e domosdoshme”, tha ai.

Lushaku-Sadriu: LDK-ja në fazë kur duhet bërë analiza e zgjedhjeve

Jehona Lushaku-Sadriu tha se gjatë takimit do të shtrohen shumë tema, por se “mund të ketë edhe vendime të brendshme partiake, por kjo kërkon gjithmonë një diskutim të brendshëm partiak”.

E pyetur nëse është përfshirë në iniciativën e mbledhjes së nënshkrimeve për shkarkimin e kreut aktual, Lumir Abdixhiku, ajo e mohoi një gjë të tillë.

“Jo, nuk jam e përfshirë dhe, faktikisht, jemi në një fazë ku LDK-ja duhet ta bëjë analizën e zgjedhjeve dhe ky problem duhet të zgjidhet me dialog të brendshëm. Kështu e kemi bërë edhe më herët. Nuk është çështje nënshkrimesh, është çështje diskutimesh të brendshme dhe ka dallime në qasje, normal, por duhet gjithmonë të vendoset për të mirën e partisë dhe interesin e përgjithshëm”, ka thënë ajo.

Zemaj: Dëshiroj ta ruaj debatin brenda LDK-së

Armend Zemaj tha se dëshiron ta ruajë debatin brenda subjektit politik që përfaqëson.

“Unë kisha kërkuar mirëkuptimin që, edhe në aspektin personal, por edhe në atë çka përfaqësoj, edhe si strukturë organizative e LDK-së, e preferoj debatin brenda subjektit tim politik, në ruajtjen e unitetit edhe të kërkesës çdo herë për fitore. Por çdo rezultat kërkon edhe reflektim mbi shifrat, numrat edhe rezultatet që i merr subjekti politik. Kështu që, na jepni mundësinë që të bisedojmë. Dëgjo, nënshkrimet kërkohen për kuvend të jashtëzakonshëm, sepse ne kemi pasur një kuvend të rregullt. Sigurisht që po”, tha ai.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram