Oda e Avokatëve të Kosovës ka njoftuar se është informuar zyrtarisht nga Shërbimi Korrektues i Kosovës për fillimin e procesit të mbylljes së Qendrës së Paraburgimit në Gjilan, në kuadër të zbatimit të Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e këtij objekti për ekzekutimin e dënimeve të shqiptuara nga autoritetet daneze.
Sipas njoftimit, tashmë ka filluar transferimi gradual i personave të privuar nga liria nga Qendra e Paraburgimit në Gjilan drejt institucioneve të tjera korrektuese. Procesi do të zhvillohet në faza, në përputhje me vlerësimet e sigurisë, kapacitetet akomoduese dhe nevojat operative të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Me qëllim të shmangies së vonesave procedurale dhe garantimit të ushtrimit efektiv të mbrojtjes, Oda e Avokatëve të Kosovës u ka bërë thirrje avokatëve që përfaqësojnë persona të privuar nga liria, të cilët deri më tani kanë qenë të vendosur në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, që të verifikojnë paraprakisht institucionin korrektues ku ndodhen klientët e tyre para ndërmarrjes së vizitave apo veprimeve procedurale.
Oda e Avokatëve thekson se ky njoftim bëhet me qëllim të informimit në kohë të komunitetit të avokatëve dhe lehtësimit të komunikimit me klientët gjatë kësaj periudhe tranzitore, ndërsa do të vazhdojë t’i përcjellë njoftimet zyrtare për çdo zhvillim të mëtejmë lidhur me këtë proces.

