Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të qëndrojë si parti opozitare në procesin e formimit të institucioneve të reja. Kështu ka deklaruar kryetari Bedri Hamza, pas takimit që pati me kryetarin e LVV-së dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
“Partia Demokratike e Kosovës për këtë mandat është parti në opozitë, dhe ne i dëshirojmë sukses zotërit Kurti dhe të gjithë atyre që takohen, bisedojnë, t’i japin vendit institucione, duke i përfshirë të gjitha institucionet”, tha ai pas takimit në një deklaratë për media.
Hamza tha se përveç PDK-së në Kuvend janë edhe 98 deputetë të tjerë, e që sipas tij, mund të bëhet kompletimi i institucioneve.
“Nuk jemi ne palë që neve na bëhen kërkesat, sepse përgjegjësinë për krijimin e institucioneve e ka partia me numrin më të madh të ulëseve në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Të gjitha partitë e tjera politike nuk mundën me zgjedhë Presidentin pa Lëvizjen Vetëvendosje. Lëvizja Vetëvendosje duhet me zgjedhë partner sipas nevojave dhe kritereve të tyre që mundën me u gjetë në interesat e tyre për me i dhënë vendit institucione”, tha i pari i PDK-së.
Ai tha se do të bashkëpunojnë në dobi dhe në interes të qytetarëve të Kosovës dhe se vota e PDK-së do të shkojë pro për këtë interes.
“Partia Demokratike e Kosovës ka dëshmuar, edhe unë kam qëndruar, kam insistuar, kam premtuar, që vota e Partisë Demokratike të Kosovës do të jetë votë ‘pro’ duke përfshirë marrëveshjet financiare ndërkombëtare dhe marrëveshjet e tjera që kërkojnë dy të tretat e votave e që janë në interes të Kosovës”, tha ai.
Ai tha se PDK në këto zgjedhje ka garuar me një program, prioritete të fushës së ekonomisë, mirëqenies sociale duke përfshirë rritjen e pagave.

